Është ndërtuar skema se si ka ndodhur incidenti i spiunazhit në uzinën e armëve në Gramsh që çoi në pranga 2 të rinj. Kamera e News24 ka parë nga afër zonën dhe në bazë të dëshmive dhe dosjes hetimore rindërton gjithë çfarë ndodhi brenda pak minutash.
Shënon ora 17:25 minuta, dy shtetasit rusë Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeva ndodhen në pjesën e pasme të uzinës mekanike të Gramshit, ndërsa ukrainasi Fedir Alpatov gjendet në rrugë me automjetin tip “Chevrolet”.
Timofeva dhe Zorin gjejnë një pjesë të hapur të rrethimit të uzinës në pjesën e pasme të saj, afrohen aty dhe të pashqetësuar futen brenda. 33-vjeçarja ndalon pak metra pasi ishte futur në territorin e uzinës, ndërsa 24-vjeçari Zorin vijon rrugën derisa në një moment pikaset nga dy ushtarët roje.
Dy oficerët e Forcave të Armatosura afrohen dhe urdhërojnë shtetasin rus të largohet nga territori i brendshëm i uzinës, por 24-vjeçari i kundërshton me forcë dhe largohet me vrap duke kapërcyer murin rrethues, ndërsa njëri prej ushtarëve e ndjek nga pas për ta ndaluar.
“Roja ndiqte, ai ikte me vrap, u përplasën brenda territorit, ai ishte frikësuar nga automatiku që kishte në krah roja, u hodh nga muri dhe kaloi në disa ara private dhe doli në një rrugë kryesore mbi uzinë”, tha dëshmitari.
Ushtari tjetër merr automjetin dhe del në rrugën e sipërme të uzinës për të ndjekur shtetasin rus që po largohej dhe i pret rrugën. Në ato momente shtetasi rus përplaset fizikisht me dy ushtarët dhe i sulmon me sprai paralizues në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit.
Në ndihmë të ushtarëve vijnë edhe banorë të zonës, të cilët ishin dëshmitarë okularë të asaj që ndodhi. Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i dy ushtarëve si dhe ndihma e banorëve bënë të mundur neutralizimin e 24-vjeçarit rus.
“Një nga këta rojet u tregua shumë djalë i shkathët se ai do kishte ikur, mori makinën dhe e ndoqi me makinë dhe i preu rrugën, se mos e kishte ndjekur me makinë nuk e kapte dot. Atje ku u kap ai kam shtëpinë e vëllezërve dhe më merr në telefon kunata dhe më thotë hajde se po vriten këtu para portës time”, u shpreh dëshmitari.
Gjatë kohës që ndodhi konfrontimi fizik, ukrainasi Fedir Alpatov priste me makinë rusen Svetlana Timofeva në rrugën poshtë uzinës, prej nga u larguan drejt Cërrikut, aty ku edhe u ndaluan nga forcat e policisë.
“Goca iku nga krahu kundërt, doli në rrugë kryesore dhe e mori makina. Fëmijët që e kishin fotografuar makinën i erdhën në ndihmë policisë dhe i thanë kjo është makina dhe i dhanë fotografinë policisë.”