Numri i studentë që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili merrej me katering nga kompania SORI-AL, ka shkuar në 64. Mësohet se përveç 60 kursantëve të parë edhe katër të tjerë janë paraqitur në urgjencë me po të njëjtat simptoma.
Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, burimet bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së. Sot pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila që pas helmimit të parë të studentëve është duke u hetuar penalisht në gjendje të lirë.
Të lidhura
None found
Nga ana tjetër, grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së analizave të mostrave të marra të ushqimit nga AKU, për të përcaktuar shkaqet që çuan në helmimin e 64 studentëve.
Po ashtu Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që, dosja e rastit të dytë të helmimit pritet të bashkohet në një të vetëm me rastin e parë të helmimit në Akademinë e Sigurisë, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj të këtij viti.
Herën e parë kur ndodhi ky skandal u helmuan rreth 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i ‘SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok. Më pas, AKU fillimisht bllokoi aktivitetin e kësaj kompanie si dhe i gjobiti me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.
Ndërsa disa ditë më vonë zhbllokoi aktivitetin e kompanisë pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës.
