Lëvizja Shqipëria Bëhet protestoi sot në tubimin e saj të katërt radhazi para kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e qeverisë pas skandaleve të Belinda Ballukut dhe aferave si AKSHI.
Qindra qytetarë janë mbledhur në bulevard, para se të niste protesta kombëtare, në orën 18:00, ku binin në sy banderolat, parullat dhe simbolet kombëtare, kryesisht flamuj kuqezi.
Shumë prej tyre thanë për “News 24” se kanë ardhur nga diaspora shqiptare, kryesisht nga Greqia, Italia, Anglia dhe më gjerë.
“Edi Rama o hajdut”, “Ku shkuan miliardat e vjedhura”, “Rama Largohet, Shqipëria shpëtohet”, apo “Hajnat po vjedhin çdo ditë”, janë pankartat që mbajnë qytetarët në këtë protestë.
Më herët Adriatik Lapaj me grupin e tij ka protestuar përpara Kryeministrisë, pas skandalit me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke qëndruar për më shumë se një muaj në sheshin para kryeministrisë.
Madje herë pas here është dhunuar nga Policia e Shtetit në mënyrë të paprecedentë dhe larguar me forcë nga bulevardi.
