Për analistët në Kosovë, emërimi i Jeff Hovenier si ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës është një sinjal i qartë se Administrata Biden po përgatitet që në brenda mandatit të saj të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Ehat Miftaraj ka deklaruar se zgjedhja e një diplomati me përvojë të gjatë në rajon dhe që ka patur një rol qendror në marrëveshjen e Rambujesë nuk është rastësi. Sipas analistit të njohur, presidenti amerikan ka për synim arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Hovenier ka qenë aktor në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në Vjenë, kështu që e ka një vazhdimësi të asaj se ku ka qenë Kosova dhe ku është edhe sot. Në anën tjetër, është fakt që presidenti Biden në kuadër të politikës së tij të jashtme hyn në zgjedhje përfundimtare jo vetëm sa i përket statusit të Kosovës, marrëveshjes finale me Serbinë, por një konsolidim të rajonit ku hyn edhe Bosnjë e Hercegovina”, thekson ai.
Sipas Miftaraj, kjo tregohet edhe nga fakti që administrata ‘Biden’ ka emëruar në postet e ambasadorëve në vendet kyçe në rajon personat të cilët kanë një trashëgimi lidhur me atë që ka ndodhur në rajonin e Ballkanin Perëndimor. Analisti thotë se jo vetëm Hovinier por edhe ambasadorët e tjerë që do të arrijnë në Ballkan do të kenë prioritet në radhë të parë marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.