Si lindi besimi në Zot dhe praktikimi/ Argita Malltezi përballë vetes 20 dhe 80 vjeç

Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha ishte këtë të diel e ftuar në “Interview” me Mirela Milorin, në një rrëfim ndryshe. Ajo rrëfeu ne Euronews Albania se çfarë porosie do i jepte vetes së saj 20-vjeçare nëse do e takonte tani e gjithashtu tregoi se ç’këshillë do i jepte vetes së saj 80-vjeçare.

“Do i thosha mos vrapo shumë, se gjërat vijnë në jetë gjithsesi. asnjëherë nuk e mbaj mend veten të qetë se kam bërë mjaft. Kjo periudhë është e vetmja periudhë që jam e kënaqur me veten time me atë që bëj. Gjithmonë kam vrapuar bëja 2-3 gjëra paralelisht. Vetes 80-vjeçare do i thosha mos ndalo sepse njeriu pavarësisht të gjithave nuk duhet të heqë dorë kurrë nga puna. Puna është një aspekt psikologjik përveç aspekteve të tjera, të mban të lidhur me njerëzit, të mban vital. Të mban një qenie njerëzore”,-tha Malltezi.

E pyetur për besimin në Zot, zonja Malltezi tha se tani është praktikante, por besimi te ajo ka ardhur në një kohë ku të mendoje ekzistencën e Tij ishte e ndaluar.

“Besoj shumë. Besimi te unë ka ardhur para viteve 90. Unë në atë periudhë nuk mund të pyesja asnjë njeri, sepse kjo ishte një tabu, për të cilën nuk flitej. Nga mamaja e kam kuptuar. Unë kam qenë 9 vjeç dhe televizioni jepte një teatër ku në një moment tallej një prift katolik. Gjyshi im nga babai që jetonte me ne ka qenë shumë besimtar. Mami kishte një raport shumë të mirë me të, i ndiqte këto ritet fetare. Teatri mbyllet me këtë skenën që tallte priftin, dhe unë e riprodhojë në shtëpi. I shkoja afër dhe i thosha “babagjysh a ekziston Zoti”.

Ai nuk reagoi deri sa në një moment më tha pusho. Mamaja ma bëri me sy pusho. Kur erdhi babi, unë fillova sërish. Babi u kontraktua, mami në atë moment tha, për ty dhe babain tënd që merreni me shkencë, Zoti nuk ekziston, për mua dhe për babain që jemi me të vjetrën, për ne Zoti ekziston. Në atë moment kuptova që ne na e kishin mësuar gabim, pasi këta besonin në Zot. Tani jam praktikante”,-tha Malltezi.

Argita Malltezi tha se një gjë që do e donte shumë, do ishte që në Shqipëri të kishte më shumë siguri juridike. /euronews


Shtuar 6.10.2024 23:29