Si do të udhëtojnë shqiptarët nëse vendoset kusht vaksinimi? Tomini zbulon planin rezervë

Nëse EMA nuk miraton vaksinat ruse dhe kineze dhe aplikon kushtin e vaksinimit për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, vendi ynë e ka një plan rezervë.

Në rast se ky kusht do të jetë, atëherë Shqipëria do të arrijë marrëveshje ndërqeveritare për të favorizuar lëvizjen e udhëtarëve.

Kështu u shpreh në “Ditari” në A2, zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, teksa theksoi se nuk do të ketë asnjë kusht për hyrjen në territorin shqiptar.

“Nga EMA janë duke u vlerësuar të dy vaksinat, kërkon një proces të detajuar dhe kërkon kohë dhe ky proces përshpejtohet në kuadër të pandemisë. Pa u miratuar nga BE nuk është i zbatueshëm, por nëse ndodh prioritet do te jenë vetëm ata që janë vaksinuar me Pfizer dhe AstraZeneca. Askush nuk do të donte të ndërpriste udhëtimet. Nuk mundet të vendoset një kufizim i tillë, nëse BE do jetë e dakordësuar për aplikimin e këtij kushti, do të ketë marrëveshje ndërqeveritare për të favorizuar procesin e lëvizjes së udhëtarëve. Shqipëria nuk ka asnjë kufizim për hyrjen e udhëtarëve dhe nuk do ketë kushte për hyrjen në territorin shqiptar”, tha Tomini.


Shtuar 6.05.2021 10:29