Shtëpia e Bardhë: Sanksione të reja ndaj Rusisë nëse anekson territoret e Ukrainës

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të imponojnë kosto shtesë ekonomike ndaj Rusisë, në bashkëpunim me aleatët e saj, nëse Moska lëviz për të aneksuar territorin ukrainas, njoftoi sonte Shtëpia e Bardhë.

Rusia po planifikon ato që Perëndimi i quan “referendume të rreme” në pjesë të Ukrainës lindore, gjë që shihet si një hap drejt aneksimit të këtyre territoreve.

“Ne e dimë se rezultatet do të falsifikohen,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre.

G7, në një deklaratë të përbashkët të lëshuar me Shtëpinë e Bardhë, dënoi këto “referendume të rreme” në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia, duke theksuar se ato shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar.

Shtatë vendet më të industrializuara i kërkuan komunitetit ndërkombëtar që të refuzojë kategorikisht referendumet, duke thënë se ata ishin të gatshëm të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë./albeu.com


Shtuar 23.09.2022 22:14