Shpëtoi dhjetra jetë, heroi që neutralizoi shoferin në mes të Tiranës rrëfen detajet (VIDEO)

Një person u fut ditën e djeshme me makinë mespërmes sheshit “Skënderbej” duke rrezikuar jetën e qytetarëve duke bërë manovra të rrezikshme përgjatë hapësirës së saj dhe ky moment i rrezikshëm i ngjante një sulmi terrorist.

Personi 32-vjeçar i identifikuar si Arben Mema, është neutralizuar nga i riu 22-vjeçar i quajtur Klodian Elqeni.

Heroi i ditës së djeshme ka qenë i ftuar së fundmi në studion e “Rudinës” në Tv Klan, ku rrëfyer më gjatë rreth kësaj situate dhe përjetimet e tij.

“Kur shkoi para tendave, ai u ndal, e ndali shpejtësinë e madhe që kishte, iu vërsulën njerëz për ta nxjerrë nga makina, ndër ta ishte edhe policia e shtetit, por agresori tentoi që të largohej përsëri. i dha gaz makinës dhe nuk pranoi që t’u bindej qytetarëve dhe policëve të shtetit. Kur i dha gaz, bëri disa rrotullime shumë të rrezikshme për të gjithë, sepse u mblodhën njerëz aty dhe u tremba, sepse kishte dhe fëmijë që luanin me biçikletë. Në momentin e parë, mendova që ky është një akt terrorist, kur pashë që policia nuk e neutralizoi dot me hapjen e derës dhe me disa goditje që i bëri, të vetmen rrugë që pashë, ishte vetëm nga dritarja. Mora guximin për hir të qytetarëve që ndodheshin aty”, u shpreh Klodiani.

I pyetur nga Rudina se a mendoi që po ndodhte një akt terrorist, ai tha se nuk kishte mendur për veten në ato çaste.

“Është e vërtetë që po rrezikoja jetën time, por ndërkohë po rrezikoheshin dhe shumë jetë të tjera. Unë kam qenë i fundit nga turma, kur u nisa vrap për të shkuar në shënjestër, dëgjova policinë të thoshte mos u afroni se është i armatosur. Unë nuk u ndala, u hodha në dritare edhe shyqyr e godita dhe personi u shtri nga ana tjetër e sediljes”.

Rudina Magjistari: Ke rrëshqitur në makinë në mënyrë spekatakolare, thashë si aktor dhe jo si një ngjarje reale.

Klodian Elqeni: Qëllimi im i vetëm ishte ta godisja fort me këmbë që ai të ngelte pa ndjenja sepse kisha frikën e armës. Pasi e godita, kam bërë edhe disa lëvizje të tjera me shkelmë sepse po mendoja që nëse do nxirrte armën, mos më qëllojë. Kam pasur ndihmën e qytetarëve përreth, policisë, e kanë hapur derën dhe e kanë tërhequr më pas dhe shyqyr shkoi gjithçka për mrekulli.


Shtuar 27.04.2021 08:34