Të shtëna me armë zjarri dhe një shpërthim pasues kanë ndodhur në Guayaquil, qytetin port të Ekuadorit.
Ngjarjet lanë pas të paktën 5 persona të vdekur, 15 të plagosur dhe disa të tjerë të zhdukur.
Shpërthimi i të dielës dëmtoi gjithashtu shtëpitë në Guayaquil, thanë autoritetet. Në llogarinë e saj në Twitter, Zyra e Prokurorit të Ekuadorit tha se agjentët po mblidhnin prova për të përcaktuar shkakun dhe motivin e sulmit në lagjen Cristo del Consuelo.
Ministri i Brendshëm Patricio Carrillo shkroi në Twitter se krimi i organizuar në Ekuador po sulmon.
“Dhuna e së dielës është një shpallje lufte kundër shtetit. Ose bashkohemi për ta përballuar ose çmimi do të jetë edhe më i lartë për shoqërinë”, ka shkruar ai.
Në Guayaquil, 270 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Quito ka pasur të shtëna dhe vrasje të shpeshta nga anëtarët e bandave rivale që besohet se kanë lidhje me trafikun kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës.
Dhjetëra u vranë vitin e kaluar në masakrat brenda burgut më të madh shtetëror në qytet.