Shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës në Vlorë, në pranga 28-vjeçari

Një 28-vjeçar ka rënë në pranga në Vlorë në kuadër të operacionit “Fokus 6”.

Ai shpërndante doza kokaine dhe kanabisi, kryesisht në lokalet e natës.

Policia sekuestroi doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis së bashku me 1 aparat celular.

Njoftimi:

Shpërndante doza kokaine dhe kanabisi, kryesisht në lokalet e natës, arrestohet në flagrancë 28-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokus 6”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas i shpërndante dozat e kokainës dhe të kanabisit, në qytetin e Vlorës, kryesisht në lokalet e natës.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 25.05.2023 11:15