Presidentja Vjosa Osmani kah moti e ka thyer akullin e takimeve me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Por, Kryeministri Kurti këtë po e bën dy vjet pasi ka marrë marrë detyrën dhe një letër nga Erdogani. Ai sot ka shkuar në Stamboll për ta takuar Presidentin që si opozitar e quante autokrat.
Me t’i fituar zgjedhjet kur pritej të ulej në karrigen e Kryeministrit, Kurtit i kishte ardhur një letër nga Ankaraja. Presidenti i Turqisë bashkë me urimin kishte edhe një kërkesë, që Kosova mos të hapë ambasadë në Jerusalem, të cilin Turqia nuk e njeh si kryeqytet të Izraelit.
Por në letrën që Kurti ia kishte kthyer shefit të shtetit turk linte përshtypje se raportet Prishtinë -Ankara nuk do të ishin sikur më herët kur në pozita udhëheqëse ishte Hashim Thaçi.
Kurti i thoshte aty Erdoganit se qytetarët kanë vendosur ta ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e tyre ndërkohë që çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk e përmendte fare.
“Më 14 shkurt të këtij viti, përmes zgjedhjeve demokratike, qytetarët e Republikës së Kosovës vendosën të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e tyre. Shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë një urë miqësie midis vendeve tona. Unë e vlerësoj e banorëve turq në Kosovë dhe ata do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe gjatë qeverisjes time”, shkruante Kurti.
Për raport të ftohte mes dy palëve kishte lënë të kuptohet edhe shefi i diplomacisë turke Mevlut Cavusoglu kur kishte ardhur vitin e kaluar në Prishtinë. Në një postim kryediplomati turk e apostrofonte Kurtin si lider me të cilën Turqia do t’a avanconte bashkëpunimin. Po ashtu Cavusoglu insistonte edhe për cështjen e shtetasve turq në Kosovë, 5 prej të cilëve ishin dorëzuar në Turqi gjatë kohës së Thaçit.
“Diskutuam modalitetet për të avancuar bashkëpunimin tonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Theksova kërcënimin që paraqet organizata terroriste FETO”, kishte shkruar Cavusoglu pas takimit me Kurtin më 19 qershor 2022.
Por, si duket tani këto raportet do të ndryshojnë. Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar të premten drejt Stambollit për ta takuar presidentin e Turqisë me të cilin pritet që të diskutojnë për raportet bilaterale dhe gjithashtu edhe temat që ndërlidhen me luftën në Ukrainë, dialogun Kosovë-Serbi dhe për situatën në Ballkan.
Atje Kurti ka shkuar bashkë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Sipas orës lokale të Turqisë, Kurti do të pritet nga Erdogan në Pallatin Vahdettin në orën 17:30 ku edhe do të zhvillojnë një darkë pune për dy orë e gjysmë. Pas darkës, të dy do të dalin dhe në një konferencë të përbashkët për media.
Kjo ftesë e Erdoganit për Kurtin vjen një javë pasi presidenti turk e kishte pritur në takim zyrtar kreun e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq e me të cilin kishin biseduar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për implementimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Gjatë tetorit të vitit 2022, këshilltari i Erdogan, Sabri Demiri kishte shprehur gatishmërinë e presidentit të Turqisë për të ndërmjetësuar në dialogun me Serbinë. Siç kishte thënë Demiri, presidenti turk po priste që të shihte se deri ku do të shkojë puna mes Kurtit dhe Vuçiqit dhe pastaj të ndërhyjë.
“Ne tashmë e kemi informuar presidentin Vuçiç për qëllimin tonë për të ndihmuar. Për momentin jemi në pritje të takimeve në Bruksel mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës për të parë se deri ku mund të shkojnë dhe pastaj do të ndërhyjmë si ndërmjetës për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje”, kishte thënë Demiri për Klan Kosova. Vizita e Kurtit në Turqi vjen pasi ambasadori i Turqisë, Cagri Sakar, ka mbajtur takimet lamtumirëse në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.
Sakar po ashtu kishte qene aktiv për rastin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem – temë kjo që asokohe ishte reflektuar edhe në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje ku citohej Kurti të ketë thënë që do të shqyrtohet lokacioni i vendosjes së Ambasadës.
“Rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook./GazetaExpress/