Shkon në 15 numri i të plagosurve nga shpërthimi i bombolës së gazit në Mitrovicë, mjekët: Disa kanë lëndime të rënda

Një shpërthim ka ndodhur këtë të shtunë në një banesë në fshatin Kçiq në Mitrovicë. Fillimisht u raportua për 13 të lënduar, ndërsa spitali Rajonal në Mitrovicë njofton se deri më tani numri i të lënduarve ka arritur në 15, shkruajnë mediat në Kosovë.

Zëdhënësja e spitalit rajonal të Mitrovicës, Nita Mustafa ka thënë për mediat në Kosovë, se për shkak të lëndimeve, 14 prej personave janë transferuar në qendrën klinike Universitare të Kosovës.

“15 persona kanë pranuar trajtim mjekësor në Emergjencë. 14 prej tyre janë dërguar për trajtim në QKUK për shkak se kanë pasur lëndime më të rënda. Ndërsa njëri prej tyre është dërguar për në shtëpi”, tha Mustafa.

Ndërkohë autoritetet kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që sollën shpërthimin.


Shtuar 13.01.2024 20:23