Shkelja e të drejtës së votës, prokurorja thotë se janë arrestuar gjashtë persona

Në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor.

Prokurorja Laura Pula ka deklaruar se në të gjitha komunat e Kosovës janë angazhuar deri në 100 prokurorë për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbrojtjen e votës.

“Në tërë Republikën e Kosovës po kujdestarojmë deri në 100 prokurorë në 38 komuna. Është e vërtetë se nga ora 7 e mëngjesit jemi gardianë të ruajtjes së votës së sovranit. Po mundohemi të jemi aty në momentet kritike dhe të iniciojmë çdo rast që ka të bëjë me shkelje eventuale kundër të drejtës së votimit,” tha Pula për televizionin publik.

Sipas saj, Kodi Penal i Republikës së Kosovës përfshin 11 vepra penale që lidhen me cenimin e së drejtës së votës, dhe çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet nga organet e drejtësisë.

Deri në orën 15:00, prokuroria ka raportuar për arrestimin e gjashtë personave në tri raste të ndara, të cilët ndodhen në ndalim për hetime të mëtejshme.

“Rastet nuk mund t’i konsiderojmë as të vogla as të mëdha, por ato mund të ndikojnë në imazhin e procesit zgjedhor. Ajo që mund të themi me siguri është se personat e përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballen me pasojat ligjore,” theksoi Pula.

Ajo shtoi se Prokuroria e Shtetit po ndjek çdo denoncim për parregullsi dhe është e gatshme të ndërhyjë menjëherë në rast të ndonjë shkeljeje.

“Çdo informacion që publikohet në portale apo raportohet nga qytetarët, ne e trajtojmë me seriozitet dhe veprojmë në koordinim me hetuesinë për të marrë masat e nevojshme,” përfundoi Pula.


Shtuar 9.02.2025 18:19

Tags: ,