Shkeli urdhrin e gjykatës, Donald Trump rrezikon burgun

Pas gjobës prej 9,000 dollarësh, ish-presidenti i SHBA, Donald Trump, rrezikon të shkojë në burg. Është ky paralajmërimi i gjykatësit Juan Merchan, i cili zotohet të marrë masa nëse Trump vijon të shkelë urdhrin e gjykatës të disa muajve më parë, që e ndalon atë të diskutojë mbi dëshmitarët e gjyqit ose anëtarët e jurisë.

“Duket se gjoba nuk janë një pengesë për ju. Gjëja e fundit që dua të bëj është t’ju fus në burg. Ju jeni ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ndoshta presidenti i ardhshëm. Por, në fund të ditës, unë kam një punë për të bërë dhe pjesë e kësaj pune është të mbroj dinjitetin e sistemit gjyqësor”.

Për gjykatësin, veprimet e Trump janë një minim i sundimit të ligjit. Përveç paralajmërimit për burg, Trump mori një gjobë të re prej 10 000 Dollarësh.

Shkelja e fundit i referohet një interviste te 22 Prillit në kanalin televiziv ‘Real America’s Voice’, në të cilën Trump kritikoi faktin se sa shpejt u zgjodh juria dhe pretendoi, pa prova, se ajo ishte e përbërë nga demokratë.

Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, akuza për të cilat ai është deklaruar i pafajshëm.


Shtuar 7.05.2024 14:13