Shisnin makina të vjedhura, kapet 38-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori

Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi kausohet se ka shitur makina të cjehdura nëpërmjet kontratave false.

Uniformat blu bëjnë me dije se 38-vjeçari nga Fieri nuk vepronte i vetëm në këtë vepër kriminale.

Për pasojë është shpallur në kërkim bahskëpunëtori i tij, shtetasi B. B., 35 vjeç.

Njoftimi i policisë

Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Mekanizmi”.

Përvetësonin automjete të shtetasve të ndryshëm, duke i mashtruar ata, dhe më pas i shisnin këto automjete nëpërmjet kontratave noteriale false, vihet në pranga 38-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i provave të siguruara nga një hetim disamujor, i ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin te koduar “Mekanizmi”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin:

– E. Rr., 38 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i 38-vjeçarit, shtetasi B. B., 35 vjeç.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përvetësonin me anë të mashtrimit, automjete të shtetasve të ndryshëm, dhe më pas i shisnin këto automjete nëpërmjet kontratave noteriale të falsifikuara.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një automjet i përvetësuar me anë të mashtrimit.

Vijon puna për kapjen e shtetasit B. B., si dhe  për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

/albeu.com/