Në kuadër të operacionit të koduar “Medicine”, pas disa muajsh hetime nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë, policia ka finalizuar këtë operacion, duke goditur një rrjet kontrabande të ilaçeve në Fier.
Sipas uniformave blu, janë arrestuar në flagrancë katër administratorë farmacie: Sh. Y., 65-vjeç, A. Xh., 59-vjeçe, P. B., 36-vjeçe dhe T. P., 35-vjeçe.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasja T. A., 53-vjeçe.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në farmacitë dhe banesat e tyre, u sekuestruan ilaçe të kontrabanduara me një vlerë rreth 800 mijë lekë.
Barnat rezultuan pa pullën fiskale të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke konfirmuar shkeljen e ligjit për tregtimin e produkteve farmaceutike.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për vijimin e veprimeve ligjore ndaj të ndaluarve.