Shisnin flori të rremë, pas dy të moshuarve italianë arrestohet në Elbasan edhe një tjetër shtetas

Dy ditë më parë policia ka arrestuar dy shtetas italianë, të cilët donin të shisnin flori me një vlerë prej 200 000 eurosh në një argjendari.

Bëhet fjalë për shtetasit me inicialet F. M., 67 vjeç, banues në Napoli, Itali dhe R. G., 76 vjeç, banues në Milano.

Materiali që këta shtetas kanë shitur ka rezultuar më pas, i përzier me metale të tjera. Ndërkohë, ditën e sotme është vënë në pranga edhe pronari i argjendarisë, ku dy italinët u kapën në flagrancë.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Fake Gold”,  të finalizuar 2 ditë më parë, si rezultat i të cilit u arrestuan 2 shtetas italianë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencura” dhe “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, si dhe u sekuestruan sasi ari i rremë dhe i pastër, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasin J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan, pronari i argjendarisë në qytetin e Elbasanit, ku u arrestuan në flagrancë 2 shtetasit italianë”, njofton policia./albeu.com