SHÇBA së fundmi ka bërë publike videon e arrestimit të grupit të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mes të cilëve është dhe një efektiv i RENEA-s, Real Luli 27 vjeç.
Arrestimi i grupit u bë ditën e djeshme në zonën e “Ish-parkut të Autobusave”.
Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga shtetasit e ndaluar dhe arrestuar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Njoftimi i SHÇBA:
Tiranë – Në përfundim të hetimeve mbi operacionin e datës 20.08.2021 të SHÇBA mbi goditjen e një grupi të shpërndarjes së lëndëve narkotike me 5 të shoqëruar në kushtet e flagrancës, mes tyre 1 punonjës policie njoftojmë se:
Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Tiranë, në funksion të procedimit penal nr. 5520 të vitit 2021, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka kryer hetime në një periudhë kohore disa mujore me metoda speciale hetimi dhe si rezultat i tyre, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e strukturave policore të DVP Tiranë, të Rendit Publik, të strukturave të posaçme të luftës kundër drogës dhe të Njësisë Operacionale, ka realizuar goditjen e një grupi kriminal të tregtimit të lëndëve narkotike që vepronin kryesisht në qytetin e Tiranës, bazuar mbi nenet 283/2, 278 dhe 248 të Kodit Penal.
Në datën 20.08.2021 rreth orës 19:30 në zonën e quajtur “Ish-Parku i autobusave”, në territorin e Njësisë Bashkiake nr. 7 të qytetit të Tiranës, u konkludua dhe u bë ndërhyrja për ekzekutimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– R.L., 27 vjeç, me detyrë punonjës policie në repartin special “RENEA”;
– J.L., 30 vjeç;
– G.S., 27 vjeç, i dënuar më parë për tentativë vrasje.
Gjithashtu po ndiqen në gjendje të lirë dy shtetasit:
– G.H., 26 vjeç;
– E.S., 26 vjeç, arrestuar më parë për veprën penale ‘’Prodhim dhe shitje e narkotikeve’’.
Ndalimi dhe arrestimi i tyre vjen si rezultat i dokumentimit me prova ligjore të veprimtarisë së tyre të kundraligjshme që ata kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Nga kontrolli i realizuar në ambiente dhe banesat që dispononin u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale sende dhe objekte të kundraligjshme si më poshtë:
– 434 gr kokainë;
– 576 gr kanabis, e ambalazhuar;
– 100.6 gr lëndë narkotike e llojit “Ekstazy” e ambalazhuar;
– 18.2 gr fara të dyshuara për kultivimin e bimëve narkotike;
– 7 peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike;
– Vlera monetare 11,890 euro;
– 3 armë zjarri të llojit pistoletë të markave BRUNI e GLOCK;
– Një krehër metalik brenda së cilës ndodheshin 20 fishekë Mod 56;
– 219 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme;
– 1 automjet tip Benz;
– 7 aparate celularë;
– Një pajisje me mbishkrimin “GRANADE FLASH-BANG BRZ-M93 P1 TM-1403”, së bashku me mekanizmin e saj metalik tip mashe;
– 2 motoçikleta (pa targa).
Vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin dhe implikimin e mundshëm edhe për subjekte të tjera të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga shtetasit e ndaluar dhe arrestuar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90./albeu.com