SHBA sanksionon anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjës, masa dhe për 7 zyrtarë të lartë nga Republika Sërpska

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.

Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Vetë Dodik më herë është futur në listën e sanksioneve amerikane. Më 5 janar të vitit 2022, SHBA-ja e akuzoi atë se drejtëpërdretjë apo në mënyrë të tërthortë kishte shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari e kishte akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit./ REL


Shtuar 31.07.2023 19:58