Shtetet e Bashkuara, kanë kapur presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, pas një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë kundër vendit të Amerikës së Jugut, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump.
Trump tha se presidenti venezuelan me orientim të majtë dhe bashkëshortja e tij janë nxjerrë jashtë vendit në kuadër të një operacioni ushtarak, i kryer në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Shpërthime janë raportuar në disa zona të kryeqytetit Karakas gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, përfshirë edhe baza ushtarake.
Qeveria e Venezuelës, ka kërkuar prova se Maduro është gjallë dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave të armatosura, ndërsa në vend është shpallur gjendje emergjence kombëtare.
Kapja e Maduros, vjen pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve, ndërsa Uashingtoni ka goditur edhe anije në Karaibe, për të cilat thotë se përdoreshin për trafik droge.
SHBA e ka akuzuar Maduron për përfshirje personale në trafikun e drogës dhe për udhëheqje jolegjitime të vendit, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht, duke kundërshtuar SHBA-në për intimidim.
Çfarë dihet për kapjen e Maduros?
Detajet mbi kapjen e Maduros mbeten të pakta. Trump nuk dha informacione të mëtejshme mbi mënyrën se si ai u arrestua apo vendndodhjen aktuale.
Sipas CBS, partner mediatik i BBC në SHBA, Maduro është kapur nga Delta Force, njësia elitare kundër terrorizmit e ushtrisë amerikane.
Trump pritet të mbajë një konferencë për shtyp në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, ku mund të zbulojë më shumë detaje mbi operacionin.
Çfarë ndodhi gjatë sulmeve?
Rreth orës 02:00 me orën lokale, shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas, ndërsa re të mëdha tymi u panë mbi qytet. Raportimet flasin për goditje në aeroportin ushtarak La Carlota, në qendër të kryeqytetit, si dhe në bazën kryesore ushtarake Fuerte Tiuna.
Zona përreth mbetën pa energji elektrike. Video që tregojnë shpërthime dhe helikopterë mbi qytet po qarkullojnë në rrjetet sociale, por ende nuk janë verifikuar zyrtarisht.
Deri tani nuk dihet nëse ka viktima, ndersa qeveria venezuelane deklaroi gjithashtu se janë goditur edhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Si ka reaguar Venezuela?
Zv/presidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se qeveria nuk e di se ku ndodhen Maduro dhe bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, dhe kërkoi “prova të menjëhershme jete” për të dy.
Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, tha se sulmet kanë goditur edhe zona civile dhe se autoritetet po mbledhin të dhëna për të vrarë dhe të plagosur.
Ai shtoi se Venezuela do të “rezistojë” ndaj pranisë së trupave të huaja. Qeveria venezuelane publikoi gjithashtu një deklaratë zyrtare, duke dënuar “agresionin jashtëzakonisht serioz ushtarak” të SHBA-së “kundër territorit dhe popullsisë venezuelane, në objekte civile dhe ushtarake”.
Në deklaratë, SHBA akuzohet se po kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe se sulmi synon të marrë “burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet”, për të “thyer me forcë pavarësinë politike të vendit”.
Çfarë ka thënë Donald Trump?
Menjëherë pas shpërthimeve, Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte. Më pas, Trump konfirmoi përmes platformës së tij Truth Social se SHBA qëndronte pas sulmeve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit,” shkroi Trump.
“Operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të pasojnë”.
Kush është Nicolás Maduro dhe pse u kap?
Nicolás Maduro u ngjit në pushtet nën udhëheqjen e presidentit të majtë Hugo Chávez dhe Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës (PSUV). Ai u bë president në vitin 2013.
Në vitin 2024, Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale, edhe pse opozita pretendoi se kandidati i saj, Edmundo González, kishte fituar bindshëm.
Ai ka pasur përplasje të forta me Trump për emigracionin masiv venezuelan drejt SHBA-së dhe për luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht fentanylit dhe kokainës.
Trump ka shpallur dy grupe kriminale venezuelane — Tren de Aragua dhe Kartelin e Diellit — si organizata terroriste të huaja dhe ka pretenduar se ky i fundit drejtohej nga vetë Maduro.
SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.
Maduro i ka mohuar me forcë këto akuza, duke akuzuar SHBA-në se po përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për ta rrëzuar nga pushteti dhe për të përfituar nga rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës.
Muajt e fundit, forcat amerikane kanë kryer gjithashtu më shumë se 24 sulme në ujëra ndërkombëtare ndaj anijeve që dyshohet se transportonin drogë drejt SHBA-së, me mbi 100 persona të vrarë.
