Një tjetër alarm për bombë është dërguar gjatë ditës së sotme në disa shkolla të mesme në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i gjimnazit “Orce Nikolov”, Mitko Dimovski, i cili tha se pasditen e sotme kanë marrë edhe një e-mail me kërcënim për bombë.
“Mesazhi i sotëm është dërguar nga një tjetër adresë emaili, por sërish është për shtatë apo tetë shkolla. Fëmijët u liruan nga shkolla dhe u thirr policia. Diçka duhet bërë seriozisht, nuk mund të ndërpritet mësimi çdo ditë”, tha Dimovski.
Ndërkohë që të njëjtat emaile janë dërguar edhe ditën e djeshme në 8 gjimnaze të ndryshme në Shkup, gjë që ka çuar në evakuimin e nxënësve. Pas kontrollit të ushtruar në godinat përkatëse ka rezultuar se kanë qenë të rreme, ndërkohë policia po punon për zbardhjen dhe kapjen e autorit të ktyre emaileve.