Në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar mashtrimi dhe pastrimi parash, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë sekuestruar 9.000 metra katror tokë arë në zonën e Fushë- Prezës.
Hetimet, të nisura pas kallëzimit të shtetasit M.D., zbuluan se prona në fjalë – e trashëguar nga gjyshi i tij përmes ligjit nr. 7501 – ishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi A.T., i cili më pas e kishte shitur për përfitime personale.
Sipas Prokurorisë, prona është kaluar në emër të A.T., pa miratimin e anëtarëve të tjerë të familjes bujqësore, të cilët figurojnë si bashkëpronarë që prej vitit 1992.
Ky veprim, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për ndarjen e tokës.
A.T. ka dhënë deklarata kontradiktore mbi mënyrën e përvetësimit të pasurisë, duke pretenduar fillimisht se ishte trashëgimi familjare dhe më pas se e kishte blerë.
Prokuroria thekson se nuk ka të dhëna për burimin e ligjshëm të shumës së pretenduar për blerjen – afro 450.000 euro.
Në vitin 2016, kjo pasuri i është “dhuruar” shtetases B.V., e përfaqësuar nga A.V., i cili më vonë ka deklaruar se e kishte blerë pasurinë për 100.000 euro.
Nga tërësia e provave të mbledhura, rezulton se A.T. e ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme pronën përmes mashtrimit ndaj shtetasit H.D.