Scholz nuk pranon shkurtime sociale për gjermanët

Në fjalimin e tij para kongresit të Partisë Socialdemokrate, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka refuzuar kërkesat për shkurtime në sistemin social në Gjermani. Duke iu referuar negociatave aktuale për buxhetin me liberalët, FDP dhe Të Gjelbrit. Scholz tha se “në një situatë të tillë nuk do të ketë reduktim të shtetit social në Gjermani”. Në kongresin e socialdemokratëve u shtuan zërat për shfuqizimin e rregullit për mosmarrjen e borxheve edhe për vitin 2024.

Scholz pranoi në fjalimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për fondin e klimës dhe transformimit e ka vendosur qeverinë e koalicionit para “një detyre shumë të vështirë”. Si pasojë në buxhet mungojnë 17 miliardë euro, prej javësh kërkohet një zgjidhje si të mbushet boshllëku buxhetor.

Scholz: Jo detyrë e pazgjidhshme

Kancelari nuk u shpreh konkretisht për gjendjen e bisedimeve, tha se ai dëshiron të përhapë “besim, se ne do t’ia dalim”. Nuk bëhet fjalë për një “detyrë të pazgjidhshme”. Ai nuk i pranoi kërkesat e Unionit dhe FDP për të hequr dorë nga rritja e parashikuar e parave për qytetarin, si ndihmë sociale. Në një deklaratë me iniciativë të kryesisë së SPD-së, për të cilin kongresi u konsultua thuhet se “ne do të investojmë më tej në një vend të fortë dhe do të ruajmë unitetin social, në vend që të rrezikojmë të ardhmen e Gjermanisë”. Më tej theksohet se investimet e sotme në Gjermani, krijojnë kushte për vende të sigurta pune e të paguara mirë dhe një bazë industriale në Gjermani.

Partia Socialdemokrate në qeveri kërkon shfuqizimin e frenës së borxheve për vitin 2024. “Nga ana politike…sipas perspektivës sonë ekzistojnë rrethana për një situatë emergjence që mundësojnë zgjerimin e marrjes së kredive për tejkalimin e pasojave që lidhen me luftën e Rusisë në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e miratuar në kongresin e SPD-së. /DW


Shtuar 9.12.2023 14:49

Tags: