Në javën kur marrëveshja midis 27 vendeve të BE-së për embargon graduale të naftës ruse ka të ngjarë të mbyllet, mbërrijnë lajmet se edhe e dashura e supozuar e Vladimir Putin, ish-gjimnastja dhe medaliste e artë në lojërat e Athinës 2004, Alina Kabaeva, është përfshirë në listën e personave të sanksionuar në paketën e gjashtë kundër Rusisë të propozuar nga Komisioni Evropian.
Në listën e të prekurve nga ndalimi i udhëtimit brenda vendeve të BE-së dhe ngrirja e aseteve është përfshirë edhe patriarku ortodoks Kirill.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve Anëtare, mblidhet të premten për të diskutuar paketën e re, e cila gjithashtu përfshin embargon ndaj importeve të naftës nga Rusia që duhet të hyjë në fuqi brenda gjashtë muajve për naftën e papërpunuar dhe deri në fund të vitit 2022 për produktet e rafinuara.
Vendimi për të goditur Kabaevan nuk është një vendim i parëndësishëm.
Siç shkroi Marco Imarisio në Corriere della Sera: sanksionimi i ish-gjimnastes do të thotë “që për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën çdo mundësi për të rikuperuar një marrëdhënie të paktën formale me Vladimir Putin është e humbur”.
Kjo pasi, përtej medaljes olimpike, nëntë medaljeve të arta botërore, skandalit të dopingut dhe karrierës si modele (si dhe politikane në partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar), 38-vjeçarja konsiderohet si personi më i afërt me presidentin rus.
Marrëdhënia e tyre u bë publike në vitin 2008 kur gazeta Russky Reporter e përmendi atë. Rezultati? Gazeta u mbyll muajin pasardhës.
Ishin kohët kur Kabaeva, pasi kishte braktisur aktivitetin e saj të gjimnastes dhe modelingut, u zgjodh në Duman ruse.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2014, do ta gjejmë atë si kryetare të Bordit të Drejtorëve të NMG, grupi më i madh botues në vend, krijuar nga oligarku Yuri Kovalchuk, i cili – siç kujton ende Imarisio – Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë “më të afërtin e Putinit”.
Por në vitin 2018 Kabaeva në mënyrë efektive zhduket nga jeta publike, me përjashtim të paraqitjeve të shkurtra që lidhen me aktivitetin e saj të mëparshëm sportiv.
Mësohet se bashkë me fëmijët ajo jetonte në Zvicër. U fol për katër fëmijë, pastaj për dy.
Sipas zërave të fundit, bëhet fjalë për dy meshkuj 7 dhe 3 vjeç. I pari ka lindur në vitin 2015 në një klinikë zvicerane, i dyti në 2019 në Moskë.
Këtë e ka bërë të ditur ditët e fundit gazeta zvicerane SonntagsZeitung, e cila ka mbledhur dëshminë e një miku të Kabaevës, pranë mamisë që lindi dy fëmijët.
Mjekja me origjinë ruse dhe emigruar në Zvicër, do të punonte në klinikën Sant’Anna, në kantonin Ticino, ku do të lindte fëmija i saj i parë.
Për gazetën zvicerane, nuk ka dyshim se dy fëmijët janë fëmijë të Putinit.
Megjithatë, Kremlini e ka mohuar gjithmonë atësinë e presidentit. Pikërisht për shkak të kësaj paqartësie, SHBA, G7 dhe BE deri më tani kanë prekur vetëm vajzat e rritura të Putinit, të cilat i kishte me ish-bashkëshorten Ljudmila Škrebneva.
Por, disa javë pas rishfaqjes së Kabaeva në Rusi (më 16 prill ajo ishte kumbare në VTB Arena në Moskë të një konkursi kombëtar të gjimnastëve të rinj më të mirë rusë pas saj), gjërat do të ndryshojnë.
Putin është siguruar gjithmonë që askush të mos mund të shkruante, kritikonte ose thjesht të bënte lirisht supozime për familjen e tij (pak a shumë të gjerë): “arma” e fundit në duart e Perëndimit, sanksionet ndaj naftës, tani përfshin edhe Alina Kabaeva.corriere.it /”Si”