Ish deputeti dhe deputeti i rizgjedhur i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me emrat e qeverisë së re.
Konkretisht ai është shprehur kundër konfirmimit të figurës së Niko Peleshit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Salianji ka shtuar se Peleshi ka një dosje në SPAK prej 2 vitesh dhe është e pakonceptueshme që ai të jetë në krye të atij institucioni.
Postimi i plotë i Salianjit:
Në qeverinë e ricikluar ofrohet dhe mbrojtje për Niko Peleshin!
Prej 2 vitesh, ndaj tij qëndron një dosje në SPAK, për përdorim pesticidesh të rrezikshme. Një sasi e madhe pesticidi me emrin ‘Silicon Mix’ shitej në Shqipëri si pleh kimik, gjatë kohës kur Peleshi ishte Ministër i Bujqësisë.
‘Silicon Mix’ ishte bllokuar nga AKU, por me një udhër të ish-ministrit Niko Peleshi, bllokimi u hoq dhe në treg u shitën 4600 kilogram kimikat.
Skandali është evidentuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili akuzon ish-ministrin se ka shkelur ligjin.
Si mundet të bëhesh Ministër, kur ke helmuar qytetarët me pesticide si Silicon Mix?
Peleshi sot duhet të ishte i pandehur dhe me mbrojtës para gjykatës por mbrohet dhe promovohet si Ministër i Mbrojtjes.
Niko Peleshi duhet të dalë sa më parë para drejtësisë për helmim të produkteve ushqimore./albeu.com