Partia Demokratike ka paralajmëruar nisjen e një sezoni protestash ndërsa ditën e sotme revolta e opozitarëve nis në orën 18:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Por përpara se të mblidhen para zyrës së Edi Ramës, kryedemokrati Sali Berisha përmes një statusi në rrjete sociale shprehet se opozita ka bërë gjithçka për një proces të ndershëm zgjedhor, ndërsa akuzon qeverisë se ka bërë gjithçka për ta shndërruar atë në një farsë.
Sali Berisha thekson se sot çdo shqiptar mban në dorë prova kombëtare e ndërkombëtare se me Edi Ramën nuk ka rotacion me votë dhe për këtë arsye nis sezoni i protestave të pandërprera deri në dorëheqjen e tij.
“Opozita bëri gjithçka për një proces të ndershëm zgjedhor. Qeveria bëri gjithçka ta shndërrojë në farsë. Sot çdo shqiptar mban në dorë prova kombëtare e ndërkombëtare se me Edi Ramën nuk ka rotacion me votë. Prandaj nis sezoni i protestave të pandërprera deri në dorëheqjen e Ramës dhe Lubisë.”-shkruan Berisha në rrjete sociale.
