Sali Berisha: Më akuzojnë pse më pagoi vajza pushimet një herë në 30 vjet

Një akt të paprecedentë, të bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, e ka cilësuar Sali berisha hetimin ndaj tij dhe dhëndrit të tij për çështjen Partizani.

Në një konferencë për shtyp, pak pas mbylljes së hetimit të SPAK mbi këtë çështje, ish-kryeministri akuzoi kryeministrin Edi Rama, prokurorët e SPAK dhe diplomatët amerikanë.

Kreu demokrat tha se ky proces, të cilin e quajti politik, erdhi pas kërkesës së diplomatëve amerikanë dhe Ramës. Berisha theksoi se pas 4 vitesh hetime, nuk ka asnjë fakt dhe provë që të fajësojnë atë dhe dhëndrin e tij.

Ai u ndal edhe tek fëmijët e tij që gjithashtu janë të dyshuar për akte korruptive.

“Unë jam i vetmi politikan që kam deklaruar se mbaj përgjegjësi për fëmijët e mi. Kjo për shkak të detyrave të larta që kam mbajtur. Ua kam thënë zbatoni ligjin dhe vetëm ligjin”, – tha Sali Berisha nga ambientet e shtëpisë.

Ai tha se të vetmen gjë që hetimet kanë gjetur është borxhi që i kanë dhënë fëmijët, duke e cilësuar këtë si solidaritet.

“Na akuzojne per pushimet 3 mije euro qe pagoi vajza per pushimet e perbashketa qe beme njehere ne 30 vite”, – tha Berisha.


Shtuar 25.09.2024 13:16