Zemërimi është një prej ndjesive më normale që përjeton njeriu gjatë jetës së tij. Studimet kanë zbuluar se gratë e menaxhojnë zemërimin ndryshe nga burrat.
Grave u mësohet që në moshë të re se sjellja e zemëruar nuk është një mënyrë e pranueshme për të reaguar ndaj ndjenjave stresuese, sepse ajo shihet si sjellje jofemërore.
Kjo sjellje e mësuar çon në atë që shumë gra të shtypin zemërimin e tyre në moshë madhore, ndërsa burrat “lejohen” të nxjerrin agresionin dhe zemërimin nga vetja.
Gratë përjetojnë zemërim po aq shpesh dhe fort sa edhe burrat. Të qenit i zemëruar zgjat shumë më gjatë në trupin tuaj se sa mendoni. Kur diçka shkakton zemërimin tuaj, trupi juaj reagon fizikisht ndaj stresit pothuajse menjëherë. I gjithë sistemi nervor bëhet më i fortë, rrahjet e zemrës, presioni i gjakut dhe prodhimi i hormoneve të adrenalinës rriten.
Trupit tonë i duhen tre sekonda për të hyrë në modalitetin e zemërimit dhe ne qëndrojmë në këtë gjendje për afërsisht 30 minuta çdo herë që jemi të zemëruar gjatë ditës. Pra, mbani mend se përgjigja juaj ndaj një pakënaqësie prej tre sekondash mund të mos ia vlejë stresin 30 minutësh që trupi juaj vuan më pas”, shpjegon terapisti Patrice Douglas, sipas The List.
Zemërimi nuk është gjithmonë një gjë e keqe. Mund të jetë gjithashtu e dobishme kur trupi juaj duhet të reagojë shpejt në kohë krize dhe parehatie. Gjithashtu, shtypja e zemërimit e mban trupin tuaj në një gjendje stresi, gjë që mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të tretur siç duhet, për të fjetur dhe për të luftuar infeksionin.
Ka mënyra për të transformuar ndjenjat tuaja të zemërimit në motivim serioz. Zemërimi na mbush me energji që mund të përdoren për gjërat që i kemi shtyrë.
Të mësosh të menaxhosh zemërimin tënd do të thotë gjithashtu të vendosësh kur zemërimi është në të vërtetë një përgjigje e përshtatshme.
Disa njerëz thjesht nuk ia vlejnë kohën apo energjinë tuaj, dhe të zemëroheni, vetëm do t’i përkeqësojë problemet tuaja. Në ato momente, të mësuarit për të hequr dorë nga zemërimi mund të çojë në një jetë më të qetë.
Kur zemërimi nuk duket si një opsion produktiv, ekspertët rekomandojnë të bëni frymëmarrje të gjata dhe të thella, të praktikoni teknikat e vëmendjes dhe të ripërqendroheni në nevojat tuaja, sipas The List.