Qendrat e votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbyllur.
Qytetarët në zgjedhjet lokale votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale për 38 komunat e Kosovës.
Këto ishin zgjedhje të rregullta lokale dhe të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë votuar 43 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 96 për qind e të dhënave të përpunuara, del se 42.85 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët tha për Radion Evropa e Lirë se rezultatet preliminare pritet të publikohen sonte.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, pas nisjes së mbylljes së vendvotimeve tha se në zgjedhjet lokale nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të komprometonin integritetin apo kredibilitetit zgjedhor.
Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, tha se në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit.
“Në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të mund ta cenonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.
Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë./REL