Ish-ylli i Manchester United, Ryan Giggs godiste me kokë ish-të dashurën e tij Kate Greville në vilën e tij $2 milionëshe, duke e lënë të terrorizuar nga dhuna dhe në disa raste ka rrahur dhe motrën e saj të vogël, u tha sot në gjyqin e futbollistit të njohur të Premierligës.
47 vjeçari që ka punuar dhe si trajner i skuadrës së Uellsit, mohon se ka sulmuar 36-vjeçaren në shtëpinë e tij në Worsley, Manchester, më 1 nëntor, dhe më pas të ketë goditur motrën e saj të vogël Emma, gjatë të njëjtit incident.
Legjenda e Manchester United është akuzuar gjithashtu me sjellje intimiduese e imponuese gjatë marrëdhënies me zonjën Greville, në abuzime që prokuroria tha se zgjatën 3 vjet.
Giggs u paraqit në gjykatë me kostum, të zi e këmishë të bardhë, ku dëgjoi tre akuzat, për të cilat u deklarua i pafajshëm.
Prokurorja Andrea Griffiths tha se prej të akuzuarit kishte një sjellje të vazhdueshme kontrolluese, që prej dhjetorit 2017 deri në nëntor 2020.
Ajo shtonte se Giggs e kishte ‘izoluar’ Kate nga miqtë dhe kolegët e punës, e kishte bërë objekt trajtimi degradues me qëllim ta mbante në marrëdhënien e tyre.
“Gjithmonë ekzistonte frika e dhunës … nëse ajo e sfidonte atë ose përpiqej të ndahej, ai e kërcënonte me lëndim fizik ose profesional”, tha zonja Griffiths.
Giggs foli në gjykatë vetëm për të konfirmuar gjeneralitetet dhe u deklarua i pafajshëm për akuzat, ndersa Kate nuk ishte prezente. Ai ka fituar lirinë me kusht, me qëllim të mos i afrohet Kate apo Emma Greville ose adresave të tyre.
Javën e kaluar u zbulua nga mediat se Giggs ka gjetur dashurinë me një modele veshjesh të brendshme, Zara Charles, e cila raportohet se e ka mbështetur gjatë akuzave.
Policia u thirr në shtëpinë e Giggs mbrëmjen e 1 nëntorit në fund të vitit të shkuar, ku një grua u trajtua në vendngjarje për plagosje fizike, ndersa ish-futbollisti u arrestua.
Giggs ishte njohur me Kate në 2013 kur ajo punonte per te në promovimin e hotelit Hotel Football, që futbollisti ka hapur bashkë me ish-shokun e skuadrës Gary Neville.
Giggs ka luajtur 64 ndeshje me kombëtaren e Uells dhe ka një karrierë të shkëlqyer me Manchester United, duke fituar 13 tituj të Premier League, dy herë Champions League dhe gjashtë kupa të Anglisë.