Rusia tërhiqet papritur nga Bakhmut, kreu i Wagner lajmëron humbjen: Nuk kemi armë

Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i forcës mercenare të grupit Wagner të Rusisë, tha në një njoftim të papritur të premten se forcat e tij do të largoheshin nga qyteti ukrainas i Bakhmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta merrnin që nga vera e kaluar.

Reuters raporton se Prigozhin tha se ata do të tërhiqen më 10 maj – duke i dhënë fund përfshirjes së tyre në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës – për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme të municioneve. Ai u kërkoi shefave të mbrojtjes që në vend të tyre të fusin trupa të rregullta të ushtrisë.

“Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar të transferojmë pozicionet në vendbanimin Bakhmut në njësitë e ministrisë së mbrojtjes dhe të tërheqim trupat e Wagnerit në kampet e logjistikës e të shërojmë plagët tona”, tha Prigozhin në një deklaratë.

“Unë po i tërheq njësitë e Wagner nga Bakhmut sepse në mungesë të municioneve ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë”, shtoi ai.

Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së gjatë dhe të kushtueshme të Rusisë për të kapur Bakhmutin dhe Prigozhin tha tre javë më parë se njerëzit e tij kontrollonin më shumë se 80% të qytetit.

Por mbrojtësit ukrainas ia kanë dalë mbanë dhe Prigozhin ka shfryrë zemërimin në rritje ndaj asaj që ai e përshkruan si mungesë mbështetjeje nga struktura e mbrojtjes ruse.

Më herët gjatë ditës së sotme ai publikoi një video në të cilën ai akuzoi udhëheqësit e forcave zyrtare të Rusisë se po shëndosheshin në zyrat e tyre, ndërsa trupave të Wagner u mungonin pajisjet.


Shtuar 5.05.2023 11:21