Rusia përjashtohet nga rrjeti SWIFT, u ngrihen asetet oligarkëve rusë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se BE-ja janë bashkuar njëzëri rreth vendimit për heqjen e Rusisë nga SWIFT.

Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën – SWIFT – shërben si ndërmjetës ekzekutues i transaksioneve financiare ndërmjet bankave në mbarë botën.

Me përjashtimin e Rusisë nga rrjeti SWIFT nënkuptohet se të gjitha asetet e oligarkëve brenda Rusisë do të ngrihen.

Ky është sanksioni më i madh që i është bërë Rusisë që kur përshkallëzoi situata në lindje të Evropës. Ky sanksion erdhi pasi që nga e enjtja Rusia është futur ushtarakisht në Ukrainë dhe po tenton ta pushtojë ish-anëtaren e BRSS-së.

Ushtria ruse i është sulur Ukrainës në tri fronte kryesore; nga lindja, nga veriu ku Bjellorusia lejoi ushtrinë të futet në Ukrainë me qëllim ta pushtojë Kievin dhe nga Krimea të cilën Rusia e kontrollon nga viti 2014.

Luftime të ashpra aktualisht po ndodhin afër Kievit, ku mediat ndërkombëtare kanë raportuar se sonte do të bombardohet kryeqyteti i Ukrainës.

Pas një nate luftimesh afër Kievit, forcat agresore ruse ia kanë mësyrë Kievit gjatë ditës, duke mos ju lënë zgjidhje tjetër banorëve vendas, përveç se të strehohen nën tokë.

Rusia aktualisht ka të paktën 50% të forcave pushtuese brenda Ukrainës, por avancimi është i ngadalshëm për shkak të rezistencës së ashpër e të papritur nga populli vendas.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha se Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me perëndimin. Ndërsa Andrei Klimov tha se Rusia do të vendosë se në cilat fusha do të punojë me perëndimin dhe ku nuk ka më kuptim për bashkëpunim.

Rusia ka bërë me dije se mediat e pavarura duhet të heqin raportimet që përshkruajnë sulmin e Moskës ndaj Ukrainës si një “sulm, pushtim ose shpallje lufte”, ose ndryshe do të përballen me pasoja.

OKB për cështjen e refugjatëve ka thënë se rreth 120,000 njerëz deri më tani kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje për t’i shpëtuar pushtimit rus. OKB pret që deri në 4 milionë ukrainas mund të largohen nëse situata përkeqësohet më tej.

Shumë ukrainas janë përgatitur për të luftuar. Autoritetet e qytetit u kërkuan banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të përgatisin kokteje molotovi për një kryengritje qytetare kundër luftëtarëve rusë nëse këta të fundit çajnë linjat mbrojtëse. Ushtria ukrainase është hapur për çdo qytetar, gjithashtu pushkë i janë dorëzuar kujtdo që ka gatishmëri të luftojë.

Joe Biden ka dhuruar 350 milionë dollarë ndihma uhstarake për Ukrainën.

Vladimir Putin të premten i kërkoi ushtrisë ukrainase të detyrojë qeverinë të largohet nga pushteti, të cilën Putin e etiketoi si një “bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh që ka strehuar veten në Kiev dhe ka marrë peng të gjithë popullin ukrainas”.

Rusët e shquar u janë bashkuar protestave në Rusi ose janë shprehur kundër pushtimit mes të paktën 1,800 arrestimeve në mitingjet kundër luftës. Ato përfshijnë yje të popit, drejtues të chatshoë-ve dhe korrespondentë të gazetave që janë bërë publike pavarësisht rreziqeve profesionale dhe personale që vijnë nga mospajtimet politike.

Si pasojë e luftës në Rusi kanë shpërthyer protesta ndaj regjimit autokrat të Putinit. Të paktën 1800 persona janë arrestuar.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi për një rezolutë që dënon pushtimin rus të Ukrainës. Njëmbëdhjetë shtete anëtare votuan pro rezolutës, tre abstenuan (Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe një votoi kundër (Rusia). Meqenëse Rusia ka të drejtën e vetos, rezoluta nuk u mbështet.


Shtuar 26.02.2022 23:35

Tags: ,