Kremlini ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos e provokojë Kinën me vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në Tajvan.
Sipas Rusisë, një vizitë e tillë do të rrisë tensionet në një nivel të rrezikshëm.
Pelosi u largua të martën nga Malajzia dhe u nis drejt Tajvanit, duke përshkallëzuar tensionet me Pekinin, që thotë se ky ishull është pjesë e territorit të tij.
Mediat në Tajvan kanë raportuar se Pelosi do të arrijë në shtet mbrëmjen e të martës, duke u bërë zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Tajvanin në më shumë se 25 vjet.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se një vizitë e tillë do të jetë “jashtëzakonisht provokuese”, duke shtuar se do të “përkeqësojë situatën në rajon dhe do të nxisë tensione”.
Ai tha për gazetarët se Rusia qëndron “në solidaritet të plotë” me Kinën, duke shtuar se çështja e Tajvanit është jashtëzakonisht e ndjeshme për Pekinin.
“Në vend se ta trajtojnë këtë situatë të ndjeshme me respekt, fatkeqësisht SHBA-ja ka zgjedhur rrugën e konfrontimit”, tha ai. “Vizita nuk do të sjellë asgjë të mirë dhe ne vetëm mund të shprehim keqardhje për këtë gjë”.
Komentet e Peskovit reflektojnë mbi raportet e ngushta që Moska dhe Pekinin kanë dhe të cilat janë forcuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Kina ka refuzuar që ta kritikojë Moskën për pushtimin e Ukrainës, por ka fajësuar SHBA-në dhe NATO-n për provokimin e Moskës./rel