Ditën e sotme, e gjithë Shqipëria është mberthyer nga moti i keq. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa qarqe ku janë përmbytur rrugët kryesore, e më problematike situata paraqitet në Durrës, për shkak të situatës së rënduar është pezulluar edhe mësimi.
Burime zyrtare nga ZVA Durrës, bëjnë me dije se janë njoftuar të gjitha shkollat publike e jopublike për moslëvizje deri në qetësimin e situatës.
Reshjet intensive që kanë përfshirë Durrësin dhe mbarë vendin prej disa orësh, kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve në shumë zona të qytetit, duke paralizuar lëvizjen e këmbësorëve dhe mjeteve.
Rrugët pranë stadiumit të qytetit dhe te zona e ‘Vollgës’ janë nën ‘pushetin’ e ujit, duke i bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e makinave.
Në disa lagje, uji ka depërtuar në hyrjet e pallateve dhe bizneseve buzë rrugës, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim për banorët.
Situatë problematike regjistrohet edhe në godinat e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Spitallë.

