Situata mbetet e tensionuar në fshatin Dragostunjë, pranë zonës së njohur si Arrat e Gurrës, ku dhjetëra banorë dhe qytetarë të revoltuar janë përballur me efektivët e policisë pasi nuk lejohen të kalojnë në segmentin e bllokuar të rrugës.
Rruga është mbyllur për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e tokës dhe dëmtimet e rënda në infrastrukturë, ndërsa autoritetet kanë vendosur perimetër sigurie.
Megjithatë, banorët shprehen se bllokimi po u vështirëson jetën e përditshme, duke i izoluar dhe duke penguar lëvizjen drejt zonave të tjera.
Disa prej tyre kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe krijimin e një kalimi alternativ, ndërsa të tjerë pretendojnë se duhet të lejohen të kalojnë në këmbë për nevoja emergjente.
Ndërkohë, situata mbetet në zhvillim, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar hapat e mëtejshëm dhe afatet për zhbllokimin e këtij aksi problematik.
