Rritja e rasteve me Covid gjen të papërgatitur Holandën, i mbarojnë testet diagnostikuese

Autoritetet shëndetësore holandeze njoftuan sot se janë duke përfunduar testet e tyre diagnostikuese për Covid-19, ndërsa në Holandë për të dytën ditë radhazi janë regjistruar më shumë se 20 mijë raste të reja, shkalla më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Autoritetet njoftuan se po punojnë për të rritur kapacitetin për teste diagnostikuese, mes rasteve në rritje që kanë marrë në befasi qeverinë e kryeministrit holandez Mark Rutte.

Ndërkohë, rreth 85% e të rriturve në Holandë janë vaksinuar plotësisht.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (RIVM) njoftoi dje se është regjistruar një numër rekord të rasteve, mbi 110,000 në një javë. Rastet janë rritur me 44% krahasuar me javën e kaluar dhe rritja më e madhe është shënuar te fëmijët e moshës 4-12 vjeç. Edhe pranimet në spital janë në rritje.

Vala e re filloi menjëherë pasi qeveria hoqi pjesën më të madhe të masave në shtator. Ndërsa javën e kaluar Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm ndërsa përdorimi i maskës është përsëri i detyrueshëm në dyqane. Sipas masave të reja, baret dhe restorantet mbyllen në orën 20:00./albeu.com


Shtuar 17.11.2021 18:08