Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, ka bërë që shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë të kalojë në mësim online.
Deri më 17 janar, kjo është e vetmja shkollë që ka shkuar në mësim online.
Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemali”, tha për Radion Evropa e Lirë se nëntë arsimtarë dhe mbi 50 nxënës janë të infektuar me koronavirus.
Testet për COVID-19 që nga 14 janar janë bërë brenda shkollës, tha Krasniqi.
“Të hënën, më 17 janar është vendosur të shkohet në skenarin C- mësim online. Në fillim patëm dërguar në skenarin C dy klasa të ciklit të ulët, pasi që mësuesja ka dal pozitiv në ato klasa, pastaj kemi kaluar me tri klasa të ciklit të lartë në skenarin C, por, numri i rasteve rritje dhe është vendosur për skenarin C”, tha ajo.
Mësimi online në shkollën “Ismail Qemali”, do të mbahet gjatë tërë javës, ndërkohë për javën tjetër, prindërit do të informohen me kohë.
Krasniqi tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për mësimin online.
Në sistemin arsimor në Kosovë, mësimi në kohë të pandemisë me COVID-19 është i organizuar përmes tre skenarëve.
Skenari A – mësimi në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C mësimi në distancë apo online.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj tha se përveç shkollës “Ismail Qemali”, mund të ketë edhe shkolla tjera që do të shkojnë online, pasi që numri po rritet.
Ai tha se mësimdhënësve vazhdon t’iu mungojnë kushtet për mësim online.
“Ne kemi kërkuar që mësimdhënësit mësimin online ta bëjnë nga shkolla pasi që dhe mbikëqyrja është më e lehtë, por në rrethanat deri tani, arsimtarët kanë mbajtur mësim online nga shtëpia që ka krijuar vështirësi teknike, siç janë problemet me pajisje, kompjuterë me internet dhe vështirësi tjera”, tha Jasharaj.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ripërsëritur thirrjen për respektim të masave për mbrojtje nga pandemia COVID-19 nga ana e të gjithë akterëve të përfshirë në institucionet arsimore.
“Respektimi me përpikëri i masave të rekomanduara nga ekspertët shëndetësorë, përveç që është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetin publik, është edhe mundësia më e mirë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor me prezencë fizike në shkollë”, ka thënë Nagavci, sipas një komunikate për media më 17 janar.
Numri i rasteve me COVID-19, ka shënuar rritje javëve të fundit në Kosovë.
Autoritetet shëndetësore më 17 janar kanë regjistruar 728 raste të reja me koronavirus, ndërkaq raste aktive janë 5,118.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje që të respektohen masat anti-COVID, pasi varianti Omicron është më dominuesi aktualisht dhe më ngjitësi.
Instituti po ashtu bën thirrje që të gjithë personat mbi moshën 12-vjeçare të vaksinohen, me qëllim të parandalimit të koronavirusit.
Që prej nisjes së fushatës së imunizimit, në Kosovë, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 796,246 persona.
Ndërkaq, sipas statistikave të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit, 43,511 doza të vaksinës janë administruar te nxënësit./REL