Pagat e mjekëve të përgjithshëm në gjithë sektorin e shëndetësisë nga 1 korriku, janë rritur me 20 mijë lekë mbi pagën ekzistuese dhe për të gjithë infermierët me 15 mijë lekë mbi pagën ekzistuese.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha sot se “me këtë rritje përmbushin një premtim të qeverisë, duke u afruar akoma edhe më shumë me standardet e pagave në rajon”.
Koçiu ndau në rrjetet sociale edhe një video me përshtypjet e mjekëve dhe infermiereve të punësuara në qendrat shëndetësore Vlorë, për rritjen e pagave.
“Mirënjohëse për përkushtimin dhe energjinë pozitive që sillni çdo ditë në punën tuaj në shërbim të qytetarëve”, tha Koçiu.
Ermira Skëndo, infemriere në qendrën shëndetësore Orikum, tha se “rritja e rrogës nga 1 korriku do të na motivojë më shumë në punën tonë në shërbim të qytetarëve”.
Infemrierja Gerta Kurti, në qendrën shëndetësore nr.5 në Vlorë u shpreh se “përmirësimi i kushteve dhe rritja e pagës na bën të ndihemi më të motivuar dhe të vlerësuar dhe largon shpresën që ne të rinjtë të mos largohemi nga vendi ynë, por ta zhvillojmë atë ashtu si kanë dëshiruar të parët tanë”.
Anxhela Ribaj infermiere në qendrën shëndetësore nr.3 në Vlorë tha se “aplikova në portalin “Infermierë për Shqipërinë” dhe u zgjodha të punoj në këtë qendër. Kam vendosur të mos largohem dhe të qëndroj në Shqipëri për kushtet e mira të punës dhe rritjen e pagës që po bëhet”.
Mjekja Erika Hoxha, në qendrën shëndetësore nr.2 në Vlorë theksoi se “punoj prej dy muajsh në këtë qendër dhe jam mirënjohëse për rritjen e pagës në kaq pak kohë nga ministria”.
Mjekja Driada Mezani, e cila jeton në Tiranë po jep kontributin e saj në qendrën verore shëndetësore Plazhi i Vjetër tha se “ky hap është një mundësi e rëndësishme në rrugëtimin tim profesional. Do të vazhdoj të jap kontributin tim në Shqipëri. Jam shumë e kënaqur me kushtet komode, rritjen e pagës dhe stafin e kualifikuar me të cilin bashkëpunoj”.