Rritet “frikshëm” numri i rasteve të reja të fruthit, ja përse kjo sëmundje është e rrezikshme për fëmijët

Gjatë pandemisë së koronës, sëmundjet e tjera kaluan në harresë dhe fushatat e vaksinimit u anuluan. Si pasojë infektimet me fruth u rritën me shpejtësi. Pse kjo sëmundje fëmijërie është e rrezikshme.

Infektimet me fruth janë përsëri në rritje. Në fillim të vitit numri i infeksioneve të raportuara në mbarë botën tregon një rritje prej 79 për qind, njofton organizata e OKB-së për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH. Një arsye është se fushatat e vaksinimit u ndërprenë nga pandemia e koronës. Mungesa e vaksinimeve kërcënon tani jetën e miliona fëmijëve, paralajmëruan agjencitë e OKB-së.

Veçanërisht të prekur fort nga fruthi gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit kanë qenë Somalia, Jemeni, Afganistani, Nigeria dhe Etiopia. Ekspertët kanë frikë se si rezultat i luftës së agresionit rus do të ketë një rritje rastesh edhe në Ukrainë, ku në vitet 2017-2019 janë regjistruar nivelet më të larta të infeksioneve të fruthit në Evropë.

Dëmtime të rënda të trurit

Komplikime tipike nga fruthi janë infektimet e veshit të mesëm dhe pneumonia. Një nga sëmundjet më të këqija që mund të shkaktojë virusi i fruthit është meningjiti, i cili mund të çojë në dëmtime të rënda të trurit dhe paaftësi mendore, dhe në rastin më të keq mund të shkaktojë edhe vdekjen.

Sipas UNICEF-it dhe OBSH-së pas shpërthimit të pandemisë korona në vitin 2020 më shumë se 23 milionë fëmijë nuk i kanë bërë vaksinat rutinë të fruthit. Në 43 vende, fushatat e vaksinimit që u shtynë për shkak të pandemisë nuk janë plotësuar ende plotësisht. Prej fruthit janë të prekur 203 milionë vetë, shumica fëmijë.

Shpërthimi i fruthit tregon dobësitë e fushatave të imunizimit dhe pas raportimit të disa rasteve nga Afrika Perëndimore ekspertët presin tani edhe një rritje të infektimeve me ethet tropikale./DW/


Shtuar 1.05.2022 08:47