Rriten tensionet në veri të Kosovës, digjet një makinë me targa RKS e një shtetasi serb

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të së mërkurës ka pranuar informacione për vënien e zjarrit dhe djegien e një veture me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.

Policia ka thënë se zjarrfikësit kanë dalë në skenën e incidentit dhe se autoritetet janë duke hetuar rastin.

Ky njoftim vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS.

Institucionet e Kosovës kanë fajësuar “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nga 1 shtatori deri më 27 tetor kanë regjistruar tri incidente të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave.

Deri në fund të muajit tetor besohet se rreth 20 makina me targa ilegale serbe janë pajisur me targat RKS.

Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë.

As Beogradi zyrtar nuk ka komentuar publikisht këto sulme në veri të Kosovës./REL


Shtuar 2.11.2022 10:53