Rrezik për infektim nga Gripi i Shpendëve, ISHP: Gatuani mirë vezët dhe mishin

Gripi i shpendëve, specifikisht lloji H5N1, është konfirmuar në disa ferma të Kasharit, por deri tani nuk ka raste të infektuara në popullatë. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka bërë të ditur se nga analizat e kryera në njerëz nuk janë regjistruar infeksione.

Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në ISHP ka theksuar se rreziku i infektimit është më i lartë për ata që kujdesen për shpendët, për shkak të kontakteve të afërta dhe spërklave të shpendëve të sëmurë.

Simptomat e gripit H5N1 te njeriu shpesh ngjasojnë me ato të gripit sezonal, por çdo rëndim i frymëmarrjes dhe shfaqja e shenjave të tjera duhet të alarmojnë fermerët që të kërkojnë ndihmë mjekësore.

ISHP rekomandon që qytetarët të gatuajnë vezët dhe mishin e shpendëve në temperatura të larta për të minimizuar rrezikun. Po ashtu, ekspertët i bëjnë thirrje fermerëve dhe drejtuesve të pularive që të ndjekin me rigorozitet protokollet për asgjësimin e shpendëve të sëmurë, për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në këtë periudhë, është e rëndësishme që të gjithë të tregojnë kujdes dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit publik.


Shtuar 4.11.2024 18:40