Rrëfimi i gruas që e la bashkeshortin për një tjetër: Nuk punonte, lypja në rrugë për para!

Çifti jetonte në një varfëri të skajshme. E vetmja që nxitej për të fituar të ardhura, ishte nusja e shtëpisë që sipas pretendimeve të saj, detyrohej për të dalë në rrugë dhe për të lypur. Deri ditën kur kupa u mbush dhe gruaja e re, nënë e tre fëmijëve vendosi që t’i thoshte stop gjithçkaje, të mbyllte derën e banesës dhe të dilte prej andej me fëmijën në gji drejt një adrese të panjohur.

Për të gjetur adresën e 32 vjeçares F.R  që u largua me vajzën dy muajshe dhe djalin tjetër, ndërsa më të madhin, por edhe ai mitur e la në shtëpi, u angazhuan dy drejtori policish. Ajo e Durrësit dhe e Tiranës, pasi sipas burimeve të Gazetasi.al, gruaja kishte ikur nga Tirana drejt qytetit bregdetar për të jetuar me një tjetër burrë që e njihte përmes të motrës përpara se ajo të lidhte kurorë.

Një burim tregoi se kallzimi i  bashkëshortit me inicialet G.R u dorëzua në komisariatin numër 3, por që pas qarjeve të tij dhe ankesave për braktisje u zbulua një tjetër histori që lidhet drejtpërdrejtë me varfërinë.

“Jemi të martuar prej 7 vitesh dhe marredhëniet tona kanë qenë shumë të mira, jetojmë në një shtëpi me qira së bashku me nënën. Prej pesë vitesh kam qenë sëmurë. Gruaja doli nga banesa dhe tha do dilte tek një shoqe. Mori dy më të vegjëlit, kurse djalin katër vjeç e la në shtëpi. U vonua dhe mbasi e telefonoja po më thoshte po vij avash avash. Në darkë tha nuk vij më, kam gjetur burrë tjetër”.

I befasuar, 32 vjeçari shton pranë policisë se ka dyshuar se mos bashkëshortja bënte shaka, por kur ajo është vonuar akoma më shumë, ai i ka shkruar “ti nuk shkel më në këtë shtëpi, sill fëmijët dhe nuk ke për t’i parë më asnjëherë me sy”.

Në biseda e sipër me mesazhe, sipas policisë e reja i ka premtuar që djalin do t’ia kthente, por vajzën jo, meqënëse i jepte ende gji.

Sipas policisë, përgjatë grindjeve dhe akuzave, në një moment në telefonin e gruas ka dalë një burrë që e ka urdhëruar të shoqin”mos telefono më tek ky numër, jam L.”

Sipas policise, mbasi kanë kaluar disa ditë dhe ai nisi kërkimet private për gjetjen e të shoqes, një i njohur i familjes e ka telefonuar duke i thënë: “çdo gruaja jote në Porto Romano duke mbledhur bidona”.

Ka tentuar të komunikojë dhe të lidhet në orët në vijim me bashkëshorten, por ka qenë e pamundur, derisa së bashku me të ëmën dhe anëtarë të tjerë të familjes kanë vendosur të udhëtojnë drejt Durrësit. Por teksa është ballafaquar me të vërtetën dhe me faktin që e shoqja po jetonte me një tjetër, gjatë grindjes dhe debateve duke kërkuar fëmijët, burri pretendon se u dhunua nga partneri tjetër i të shoqes. Mbas kësaj rrethane, G.R u paraqit në polici ku denoncoi për braktisje të fëmijëve dhe kërkoi kthim të të shoqes në shtëpi.

Burimet e Gazetasi.al tregojnë se komisariati numër 3 kërkoi ndihmën e policisë bregdetare për të shoqëruar nënën e tre fëmijëve në polici, së bashku me burrin e panjohur. Dëshmia e saj ka ndryshuar versionin e historise, por sidoqoftë nuk e lehtëson nga hetimi.

“Jam martuar me G.R dhe përditë vuanim për tu ushqyer. Ai nuk punon. E ema nuk punon, mua më nxirrte për të lypur me dhunë. Aq sa po dyshoja që më donin vetëm për para. Më herët kam mbajtur me para edhe kunatin e vogël deri ditën që u martua dhe lëvizi në shtëpi tjetër. Dilja për të lypur me fëmijët e vegjël dhe të gjitha paratë mi merrnin. G. R. më thoshte pëditë dil lyp se nuk kemi bukë për të ngrënë, nuk më bënte më shpirti për të lypur. Në këtë gjendje të papërballueshme më shkruante në telefon ndonjëherë K. që e njoh prej fëmijërisë. Më pyeste si isha dhe prej një viti u lidha me të. Në njërën prej ditëve më kërkoi të martoheshim bashkë dhe mbasi u mendova gjatë vendosa të largohem”, thotë gruaja.

Ajo këmbëngul se nuk kthehet më tek bashkëshorti, teksa policia pyet se përse kishte dalë të mblidhte plastikë nëpër kosha.

“I dashuri im i ri, shiti biçikletën ditën e parë për ne për të blerë ushqime, më tregoi se fëmijët do t’i donte sikur të ishin të tijët. Të nesërmen mbasi vrava mendjen se çdo bëja, thashë do dal të mbledh për të shitur”. Gruaja insiston se ka gjetur dashurinë e jetës dhe se në kushtet kur shfytëzohej, nuk e lidhte asgjë me të shoqin. “Nuk ndjej më asgjë për të, ai ndonjëherë më gjuante që të dilja të lypja dhe vazhdimisht ushqimet i blija vetëm unë. Isha kthyer si nënë për të dhe jo si një grua. Kjo gjë duhet të merrte fund”, tha gruaja. Policia e komisariatit numër tre shton për Gazetasi.al se me kërkesë të 32 vjeçares i kanë dhënë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, por nga ana tjetër i kanë përpiluar dokumentet për braktisje të të miturve. /gazeta si

Shtuar 8.05.2021 05:05