Shembja e një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të Nju Jorkut, të mërkurën pasdite, i mori jetën një personi dhe la dy të tjerë të plagosur rëndë. Një person tjetër mbeti nën rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën punën për ta nxjerrë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, sipas orës lokale, në Flatbush, një lagje kryesisht rezidenciale e Brooklynit. CNN, duke iu referuar një zyrtari të Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, raportoi se pranë godinës ndodhej një kantier ndërtimi.
Të lidhura
None found
Ndërtesa kishte tre kate, një dyqan në katin përdhes dhe të paktën një apartament në katet e sipërme. Sipas raportimit të CNN, shembja u shkaktua nga kantieri ngjitur.
Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shihen zjarrfikësit duke nxjerrë një person nga rrënojat. Katër efektivë e vendosën në barelë dhe e larguan nga zona.
Dhjetëra zjarrfikës u përfshinë në pastrimin e mbetjeve dhe kërkimin e personave të bllokuar. Ata larguan mobilie e sende të ndryshme, mes tyre jastëkë dhe një sobë të dëmtuar, për të kontrolluar hapësirat mes rrënojave.
Për kërkimet u përdorën edhe dronë. Operacioni vazhdoi pasi ra errësira, me ndihmën e elektrikëve të dorës.
“Njësitë e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut po ndërhyjnë aktualisht në një shembje ndërtese në Flatbush Avenue, në Brooklyn”, bëri të ditur departamenti të mërkurën pasdite.





