Rifillon procesi gjyqësor për pesë të akuzuarit për sulmet terroriste të 11 shtatorit

Procesi gjyqësor ndaj pesë personave të akuzuar se planifikuan dhe ndihmuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ka rifilluar të martën, pas një pauze prej gati një viti e gjysëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Khalid Shaikh Mohammad, një eksponent i lartë i al-Kaidas dhe i dyshuar si planifikuesi i sulmeve, po gjykohet së bashku me të akuzuarit e tjerë nga një komision ushtarak në bazën amerikane në Guantanamo të Kubës.

Ata akuzohen për konspiracion, sulme ndaj civilëve, vrasje, rrëmbim avionësh dhe terrorizëm.

Nëse shpallen fajtorë, atyre mund t’u jepet dënimi me vdekje.

Procesi gjyqësor për të akuzuarit është ngadalësuar nga kërkesat ligjore të paraqitura nga prokurorët dhe avokatët mbrojtës në lidhje me evidencën që duhet përdorur. Debati është zhvilluar për përdorimin e materialeve të klasifikuara dhe informacionit të përfituar gjatë marrjeve në pyetje, për të cilat avokatët mbrojtës kanë pretenduar se janë siguruar nëpërmjet torturës.

Në sulmet terroriste morën pjesë nëntëmbëdhjetë persona të lidhur me al-Kaidën, të cilët rrëmbyen katër avionë. Dy prej tyre i përplasën mbi kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe një tjetër mbi godinën e Pentagonit, pranë Uashingtonit. Avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani. Sulmet morën jetët e gati 3 mijë personave.

Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke ndërhyrë në Afganistan për të goditur al-Kaidan dhe për të larguar nga pushteti talebanët, të cilët kishin strehuar grupin terrorist. Operacionet ushtarake amerikane zgjatën gati 20 vjet dhe përfunduan para një jave, ndërkohë që talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit./VOA


Shtuar 7.09.2021 18:32