Rezoluta për Srebrenicën/ Berisha: Rama votoi kundër dënimit të këtij genocidi në parlamentin shqiptar

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuarmbi miratimin nga ana e Asamblesë së OKB-së të Rezolutës që e vendos 11 Korrikun Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Gjatë fjalës së tij në tubimin e përditshëm qytetar, Berisha shprehet se Edi Rama dhe deputetët e tij kundërshtuan rezolutën e denoncimit serb në Srebrenicë në parlamentin shqiptar.

Berisha shprehet se sot nën diktatin ndërkombëtar Rama u detyrua të votojë ndryshe, por në parlament votoi kundër dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë, sepse urdhri ishte i prerë nga padroni i tij, Vuçiç.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të lirisë, ju përshëndes përzemërsisht për qëndresën tuaj. Përshëndes nga zemra oratorët e kësaj platforme të fjalës së lirë, për të vërteta që u përcjellin shqiptarëve. Të dashur miq, sot për popujt e Ballkanit por dhe mbarë njerëzimin, është një ditë e shënuar.

OKB vendosi të shpallë 11 korrikun ditën e kujtimit të genocidit serb në Srebrenicë. Me këtë akt, bota e qytetëruar nderon, kujton viktimat e pafajshme të barbarisë serbe në Bosnje. Me këtë akt, shteti genocidal që ka kryer në trevat e Ballkanit genocidet ciklike, veçanërisht mbi shqiptarët, merr damkën për barbarinë e saj.

Miqtë e mi, jeni dëshmitarë se si Edi Rama dhe deputetët e tij kundërshtuan rezolutën e denoncimit serb në Srebrenicë në parlamentin shqiptar. Mos harroni kurrë kartonat e tyre të kuq. Ato kartona të kuq janë dhe do mbeten përjetë të stamposur në muret e parlamentit si dëshmia e amoralitetit dhe shpirtit të zi të tyre. Mos harroni kurrë atë ditë!

Se sot nën diktatin ndërkombëtar u detyrua të votojë ndryshe, por në parlament votoi kundër dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë, sepse urdhri ishte i prerë nga padroni i tij, Vuçiç. Po kështu, dy vite me radhë, tradhtari, Pashiqi i shqiptarëve bllokoi rezolutën për denoncimin e genocidit serb në Kosovë. Dhe pastaj me pafytyrësi, vetëm 5 ditë më parë u thoshte shqiptarëve në Kosovë se edhe më quani tradhtar. Po jo tradhtar, po historia nuk ka njohur kurrë tradhtar si ti.


Shtuar 23.05.2024 20:41