Republikanët edhe më pranë fitores së Dhomës së Përfaqësuesve: Xhorxhia mund të vendosë mbi fatin e Senatit

Republikanët iu afruan edhe më shumë të enjten mundësisë për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por me një shumicë të ngushtë dhe larg pritshmërive për një vale të kuqe siç kishin parashikuar. Për kontrollin e kësaj dhome nevojiten të paktën 218 vende nga 435 që ka ajo gjithsej. Aktualisht republikanët kanë fituar 209, ndërsa demokratët 192. Numërimi vazhdon për 34 vende të tjera.

Fati i Senatit varet nga rezultati në disa gara të ngushta. Republikanët kanë fituar 49 nga 100 vende që ka Senati ndërsa demokratët 48. Aktualisht pritet rezultati për Nevadën dhe Arizonën ndërsa Xhorxhia ka kaluar në balotazh, i cili do të mbahet më 6 dhjetor. Secila parti mund të marrë kontrollin e Senatit nëse i fiton të dyja garat, atë në Nevada dhe në Arizona.

Por ekziston një mundësi e madhe, që për herë të dytë në dy vjet, kontrolli i Senatit të varet nga rezultati i balotazhit në Xhorxhia. Në garë është senatori demokrat në detyrë Raphael Warnock i cili sfidohet nga republikani Herschel Walker.

Sipas ligjit të këtij shteti një kandidat shpallet fitues kur merr të paktën 50 % të votave, gjë që nuk ndodhi në raundin e parë.

Kontrolli i Kongresit do të jetë përcaktues edhe për fatin e axhendës së Presidentit Biden për dy vitet e ardhshme. Një shumicë republikane mund t’ia vështirësonte përmbushjen e shumë prej prioriteteve të tij.

Zgjedhjet e këtij viti për Kongresin i tejkaluan prishmëritë historike për një parti që drejton Shtëpinë e Bardhë. Partia në pushtet pothuajse gjithmonë pëson humbje në zgjedhjet që përkojnë me mesin e mandit të presidentit, por edhe nëse republikanët fitojnë Dhomën, humbja e demokratëve nuk do të jetë aq e madhe sa mendohet para zgjedhjeve, ose siç ndodhi më, ose 2018 në 2010.

Një shumicë e vogël në Dhomën e Përfaqësuesve do të përbënte një sfidë të madhe për republikanët dhe kryesisht kreun aktual të republikanëve në këtë dhomë Kevin McCarthy. Ky i fundi pritet të marrë pozicionin që mban aktualisht Nancy Pelosi, duke u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Me një shumicë të brishtë në këtë dhomë zoti McCarthy do të kishte pak hapësirë për gabime për të çuar përpara axhendën republikane./VOA


Shtuar 11.11.2022 08:04