Vendet europiane po intensifikojnë përpjekjet për të rritur aftësitë e tyre mbrojtëse dhe për të zvogëluar mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara, megjithëse aktualisht armatimet amerikane vazhdojnë të mbeten elementi kryesor i riarmatosjes në kontinent.
Të lidhura
None found
Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, kompanitë nga SHBA-ja morën kontrata me peshë, ndërsa nga ana tjetër blloku europian hodhi hapa për të ndërtuar kapacitete më të mëdha të vetat.
Sa i përket raketave, një pjesë e prodhimit pritet të transferohet në Europë. Lockheed Martin dhe Rheinmetall kanë arritur një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të raketave ATACMS në Gjermani, me qëllim shtimin e rezervave europiane pa prekur industrinë amerikane.
Mbrojtja ajrore mbetet një prej sfidave më të mëdha. Sistemi amerikan Patriot vijon të jetë shtylla e mbrojtjes për shumë shtete të NATO-s dhe ka një rol vendimtar edhe në Ukrainë. Sidoqoftë, Europa po punon për alternativa të sajat, mes tyre sistemi franko-italian SAMP/T NG për mbrojtje me rreze të gjatë dhe sistemi gjerman IRIS-T për distanca të mesme. Synimi i këtyre zgjidhjeve është ngritja, në vitet e ardhshme, e një mburoje ajrore europiane më të pavarur.
Sipas DW, edhe në kapacitetet për goditje me rreze të gjatë, Europa vazhdon të mbështetet ende te teknologjia amerikane. Gjermania ka parashikuar të blejë raketa Tomahawk nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që synon të zhvillojë edhe raketa dhe sisteme të veta me rreze veprimi deri në 2 mijë kilometra.
Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah edhe rëndësinë e dronëve. Bashkimi Europian ka si objektiv ngritjen e një industrie të përbashkët për dronët dhe për sistemet kundër tyre. Në këtë nismë është përfshirë edhe Ukraina, krahas vendeve të BE-së, duke sjellë eksperiencën e saj të drejtpërdrejtë nga përdorimi në shkallë të gjerë i mjeteve fluturuese pa pilot gjatë luftës.
