Është mbyllur një nga javët më të rëndësishme të kampionatit shqiptar. Dueli që mund të përcaktonte rrugën e titullit ka përfunduar me fitoren e Partizanit.
Ekipi i Dajës ka mposhtur 0-1 Teutën në Durrës dhe tashmë ka marrë kreun, pavarësisht se ndajnë të njëjtin numër pikësh.
Kalendari i dy javëve të fundit nuk është aspak bujar me të kuqtë, megjithëse sot kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit madhor.
Ndërkohë nga lufta për Europë duket se Tirana ka shpallur kapitullimin.
Humbja kundër Laçit i lë bardheblutë në vendin e 5-të dhe Kupat e Europës janë një mision i pamundur tashmë.
Vllaznia nuk gabon përballë Kastriotit dhe i bashkohet me pikë të barabarta kurbinasve, duke e lënë të hapur jo vetëm garën për vendin e tretë, por edhe për të kreun e klasifikimit, nga ku janë vetëm 2 pikë larg kryesuesëve aktual.
Ndërkohë ndeshja e ardhshme për Vllazninë do të jetë pikërisht ndaj Partizanit, ndërsa Laçi që mposhti Tiranën do të luajë kundër Teutës, atje ku edhe kurbinasit nuk i kanë mbyllur llogaritë me titullin kampion.
Sa i përket mbijetesës, Skënderbeu del më në fund nga zona e ftohtë dhe qendrimi në Superiore duket gjithnjë e më pranë.