Rei Manaj vazhdon të shënojë dhe Barcelona B të ecë e pandalshme drejt ngjitjes në La Liga 2. Skuadra katalanase sot ka mundur Ibizën, ekipin që kryeson grupin e saj të ngjitjes, falë edhe sulmuesit shqiptar, i cili ka shënuar golin e 11 sezonal duke konfirmuar që po kalon një formë shumë të mirë.
Manaj ishte autori i golit të avantazhit të Barcelonës B në minutën e 22-të të ndeshjes me një goditje me kokë pas një këndoreje, që gjeti të papërgatitur portierin kundërshtar. Ai ishte një gol që tronditi Ibizan e cila pësoi edhe të dytin një minutë më vonë dhe nuk arriti të përmbyste shifrat edhe pse gjeti vetëm një gol në pjesën e dytë të sfidës.
Me fitoren 2-1, Barcelona B është në kuotën e 46 pikëve dhe duket se do të ecë drejt grupit të dytë të play-off për ngjitjen në La Liga 2 në edicionin e ardhshëm. Ndërsa Rei Manaj konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të katalanasve, pasi ka shënuar 11 nga 28 golat e shënuar nga ekipi i dytë i Barcelonës në atë që është sezoni më i mirë i karrierës së tij.