Autoritetet bullgare kanë vënë në pranga 19-vjeçarin H.D. nga Shkupi, pasi gjatë kontrollit dyshohet se iu gjetën rreth 100 mijë euro të falsifikuara.
Para hetuesisë, Dardhishta ka deklaruar se nuk kishte dijeni që kartëmonedhat ishin të falsifikuara.
Të lidhura
None found
Sipas prokurorisë, i riu kishte qëndruar për një periudhë të shkurtër në Turqi. Kartëmonedhat ishin qepur në astarin e xhaketës që ai kishte veshur.
Gjatë kontrollit në kufi, sjellja e tij ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve, pasi dukej i shqetësuar, mbështetej fort pas sediljes dhe shikonte drejt tavanit të automjetit.
Pas arrestimit, në telefonin e tij celular u zbuluan shumë fotografi të kartëmonedhave të ngjashme të falsifikuara, të bëra më herët gjatë këtij viti.
Në një pjesë të këtyre imazheve, i riu shfaqej edhe vetë.
Mbrojtja kërkoi që ndaj tij të vendosej një masë më e lehtë, konkretisht garanci financiare, duke argumentuar se 19-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe se ishte në moshë të re.
Gjykata nuk e pranoi kërkesën dhe vendosi paraburgimin, pasi vlerësoi se ekzistonte dyshim i bazuar se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet, si dhe rrezik arratisjeje në rast të zbatimit të një mase më të butë.







